Me fillimin e sezonit të ngrohjes së objekteve, çmimet e rritura ndjeshëm të energjisë po i rëndojnë familjet gjermane. Rritja e çmimit të energjisë ka një sërë shkaqesh dhe efektesh – teksa ekspertët supozojnë se konsumatorët duhet të përshtaten me kostot më të larta të benzinës, gazit ose energjisë elektrike edhe në një periudhë më të gjatë.
Në tregun europian të gazit, objektet e zbrazëta të magazinimit të gazit dhe puna e mirëmbajtjes në infrastrukturë kanë çuar në një rritje të shpejtë të çmimeve. Çisternat me gaz natyror të lëngshëm (LNG), të cilat vijnë kryesisht nga SHBA, në vend të Europës, po shkojnë drejt Azisë, ku mund të arrihen çmime edhe më të larta, shkruan DW.
Një faktor konsiderohen po kështu spekulimet në tregun financiar. Sipas ekspertëve, rritjet ekstreme të çmimeve të javës së kaluar janë ndoshta të një natyre të përkohshme. Kur të mbushen objektet e magazinimit të gazit dhe të furnizohet më shumë gaz përmes tubacionit të ri Nord Stream 2, çmimet ka të ngjarë të bien.