Dega e OVL-UÇK-së në Pejë ka bërë të ditur se së shpejti do të nxjerrë në publikim disa video, dokumente dhe fotografi që tregojnë më shumë për profilet e kandidatëve për kryetar të kësaj komune, përcjell InLajmi.
Përmes një shkrimi në faqen zyrtare në Facebook, OVL-UÇK në Pejë, tha se qytetarët kanë të drejtë të dijnë se kë do të votojnë prandaj do të bëhet publikimi i prapavisë të kandidatëve që garojnë në Pejë.
Postimi i plotë i tyre:
OVL UÇK Pejë si pararojë e vlerave kombëtare, përherë do të jetë e gatshme t’i mbrojë këto vlera, aq më tepër kur pushtet synojnë përdhosësit e tyre.
Meqë jemi në prag të zgjedhjeve lokale, OVL UÇK dega në Pejë do të publikojë video, dokumente dhe fotografi që shpjegojnë prapavinë atëdhedashëse të kandidatëve që garojnë në Pejë. Pavarësisht përkatësive e bindjeve partiake, qytetarët e Pejës, sidomos familjet që i dhanë shumë këtij vendi, duhet të dinë mirë se kush po ua kërkon votën.
Më shumë se sa zgjedhjet janë zgjedhësit.
Më shumë se sa sahanlëpirësit është UÇK-ja.
Më shumë se sa partitë politike është Kosova.
OVL UÇK Pejë./InLajmi/