Dëshmitari i radhës që aktualisht po merret në pyetje në Dhomat e Specializuara në gjykimin ndaj Salih Mustafës, deklaroi se persona me uniformë të UÇK-së e kishin dërguar në një ahër në Zllash dhe se aty ishte mbajtur nga data 4-19 prill.
Po ashtu ai tha se kur e kishin vendosur në ahër, aty i kishte gjetur edhe katër persona të tjerë, ndërsa objektin e përshkroi si një shtëpi në dukje dykatëshe dhe se poshtë asaj shtëpie nga oborri e kishin futur në një derë të vjetër për të hyrë në ahër.
“Aty ishte vendi ku mbaheshin kafshët, kishte vetëm një derë dhe një dritare. Nuk i kam parë personat, por mendoj që ai që na sillte ushqim mund të kishte qenë roja”.
“Brenda ditës dy herë na kanë sjellë ushqim dhe ujë. Ujë na kanë sjelle sa kemi dashur e po ashtu edhe ushqimi ka qenë i mjaftueshëm për kohën që ishte, pra kohë lufte, dhe e kam me bindje të vërtetë që atë ushqim që e kanë ngrënë vet ata, na e kanë sjellë të njëjtin”.
Ndërkaq sa i përket kushteve të ahrit ku dëshmitari pretendon se ishte mbajtur, tha të kenë qenë çnjerëzore, transmeton Klan Kosova.
“Individi kur hyn aty brenda nuk e ka më ndjenjën e njeriut, por barazohet me kafshën. Nuk e di si mund ta përshkruaj kur njeriu papritmas e sheh veten në një ahër që s’e ka parë ndonjëherë në jetë”, deklaroi dëshmitari, duke shtuar se për vendndodhjen e ahrit që tha se ishte në Zllash, e kuptoi nga njerëzit tjerë që ishin brenda tij.