Një zjarr i madh shpërtheu në një depo magazinimi në një nga objektet kryesore të naftës të Libanit, duke dërguar flakë portokalli dhe një kolonë të trashë të zezë tymi në qiell, transmeton InLajmi.
Agjencia Shtetërore Kombëtare e Lajmeve tha se nuk ishte menjëherë e qartë se çfarë e shkaktoi zjarrin që po vazhdon prej më shumë se 2 orësh pas shpërthimi. Zjarrfikësit janë në vendngjarje duke luftuar me zjarrin në një cisternë gjigante benzine në qytetin bregdetar të Zahrani.
Raporti tha se asnjë punonjës nuk ishte aty pranë kur filloi zjarri, ndërsa trupat libaneze mbyllën autostradën kryesore që lidh Bejrutin me Libanin jugor që kalon përmes Zahrani.
Instalimi i naftës në Zahrani është rreth 50 kilometra në jug të Bejrutit, afër një prej stacioneve kryesore të energjisë të Libanit, i cili ndaloi së funksionuari 2 ditë më parë për shkak të mungesës së karburantit. Libani po përballet me një krizë serioze të energjisë që ka rezultuar në ndërprerje të energjisë elektrike që zgjat deri në 22 orë në ditë, shkruan AP.
Në Gusht 2020, një zjarr në portin e Bejrut shkaktoi një shpërthim masiv që vrau të paktën 215 njerëz, plagosi mijëra dhe shkatërroi objektin dhe lagjet aty pranë. Shpërthimi në portin e Bejrutit u shkaktua nga qindra tonë nitrat amoniumi, një material shumë shpërthyes i përdorur në plehra, i cili ishte ruajtur në mënyrë jo të duhur për vite me rradhë./InLajmi/