Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, ka folur për planin e tij për zhvendosjen e stadiumit Fadil Vokrri.
Rama në Rubikon të Klan Kosovës, tha se mungesa e fushave sportive është problemi kryesor i çdo sportisti të kryeqytetit, prandaj ai në programin e tij ka paraparë që në fshatin Bërnicë të poshtme të ndërtohet kampus dedikuar sporteve, derisa ka shtuar se me këtë stadium edhe personalisht ka lidhje sentimentale.
”Është aspekti që zhvillimi i Prishtinës, zhvillimi i të ardhmes të qytetit të Prishtinës, duhet të shohë potencialin dhe vizionin që ka, me diskutime të drejtpërdrejta me qytetarin e Prishtinës, me sportistë, gjithmonë ka qenë problem kryesor që ka mungesë të fushave sportive, në çdo lëmi edhe në futboll edhe në basketboll, ne hendboll, në xhudo, e tenis”.
”Ne në programin tonë e kemi Bernicën e poshtme të dedikuar për kampus të sporteve, ku do të zhvillohet stadium i ri i futbollit, palestra për basketboll, për tenis e për sport e të ndryshme. Kjo do të ndodhë brenda periudhës kohore 2021 – 2025”, tha Rama.
”A jemi ne të lidhur në mënyrë sentimentale me stadiumin? absolutisht, edhe unë jam vetë i lidhur, mirëpo ne duhet të kemi vizion përtej sentimentit, për të mirën e zhvillimit të Prishtinës, të kryeqytetit tonë, pra për krijimin e një vlere shoqërore, diçka që krijon e ka një sentiment, po krijon për shembull problem urban të trafikut, çdo herë që behet ndonjë lojë dhe a mundet me u zgjidhë? po mundet me u zgjidh dhe ai ka qenë prezantimi se si mund të behet”, tha Rama.
Ndërsa sa i përket ndërtimit të një liqeni në vend të stadiumit Fadil Vokrri, Rama tha se nën këtë stadium takohen dy lumenj dhe në pyetjen se a mund të zëvendësohet tërë ai beton me një liqe përgjigja është po, kjo ka mundësi të bëhet.
”Shtrohet pyetja pastaj, që e kemi diskutuar me Adriatikun, se: ”A mund të këtë ndonjë park me liqen në qendër?” dhe unë kam thënë që:”Po, mundet sepse pikërisht aty takohet Vellusha edhe Prishtevka, dy lumenj te stadium i Prishtinës”. Nëse ne e diskutojmë këtë aspekt a ka mundësi që Prishtina të çlirohet prej meter katror prej betonit, po ka mundësi”, tha Rama.