Janë bërë plotësisht një javë nga marrëveshja e arritur në Bruksel në mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave.
Fillimi i zbatimit të kësaj marrëveshje nisi të shtunën më 2 tetor kur edhe u larguan barrikadat dhe Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, të cilat ishin të vendosura në 2 pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë.
Pas largimit të tyre, në pikat kufitare u vendosën trupat e KFOR-it të cilët do të qëndrojnë aty për 2 javë rresht sipas marrëveshjes.
Pas kësaj të hënën më 4 tetor sipas pikës 2 të marrëveshjes së arritur, ka filluar edhe zbatimi i përkohshëm i sistemit të afisheve me të cilat si Kosova ashtu edhe Serbia po mbulojnë elementet shtetërore të targave të njëra-tjetrës.
Lidhur me respektimin e kësaj marrëveshje, Ferdinand Nikolla, këshilltari politik i Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë për Telegrafin se zbatimi i marrëveshjes është duke ecur me një dinamikë të mirë.
“Zbatimi i marrëveshjes është duke ecur me një dinamikë mjaftë mirë dhe kërkesat për letër-ngjitëse janë të larta. Gjatë periudhës 4 deri më 8 tetor në Kosovë nga Qendra e Regjistrimit të Automjeteve janë lëshuar 3.863 stikersa ndërsa në pikat e kalimit kufitar 9.430 stikera, në total 13.293”, ka deklaruar Nikolla.
Ai më tej ka thënë se sa i përket aspektit të sigurisë, situata në pikat kufitare është e qetë.