Shefi i grupit kuvendar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se Kurti është ai që e ka kritikuar vetë UNMIK-un për vite me radhë, ndërkohë që kryeminsitrat e kaluar nuk e kanë takuar qëllimisht shefin e UNMIK-ut.
UNMIK është mision ndërkombëtar që funksionon në Kosovë në bazë të Rezolutës 1244 të OKB-së. Si e tillë ajo nuk e njeh Kosovën si shtet dhe për këtë Kryeministri Albin Kurti vetë ka qenë i zëshëm në të kaluarën kur edhe vetë kishte protestuar para dyerve të zyrave të këtij subjekti.
“Prej 2008-tës rrallë ka ndodhur që të kemi pritur shefa të UNMIK-t. Ka ekzistuar mirëkuptimi që ai mision të mos ftohet. Edhe pse ishim futur në OKB nën ombrellën e UNMIK-ut, nuk e kishim lënë asnjëherë të ndërmjetësonte në emër të Kosovës pasi nuk na përfaqëson”, tha ai në emisionin Pressing në T7.
Kurti e priti Taninin në prag në të mbledhjes së radhës për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që do të mbahet të premten.