Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka njoftuar se ka dërguar një kërkesë në Kuvend në lidhje me çështjen e gazsjellësit amerikan në vend, përcjell InLajmi.
Haradinaj është shprehur se çështja e gazsjellësit po devijohet me të pavërteta andaj, ai ka dërguar kërkesë në Kuvend për një debat parlamentar në lidhje me këtë çështje, duke ofruar mundësinë e hapur të diskutimit por me argument.
Kreu i AAK-së edhe njëherë është shprehur se çështja e gazjellësit nuk mund të mjegullohet.
Postimi i plotë i tij:
Të pavërtetat për gazin amerikan
Është për keqardhje se si po provohet të devijohet çështja e gazsjellësit amerikan, duke u thënë të pavërteta për të. Pohimet se Fondi prej 200 milionë dollarësh i MCC nuk ka qenë i specifikuar për gazin dhe diversifikimin e energjisë, është krejtësisht i pavërtetë.
Ka pothuajse tri vjet ç’prej se ka filluar ky projekt dhe janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e realizimit të tij. Janë bërë dy studime fizibiliteti që janë financuar me miliona dollarë të taksapaguesve amerikanë.
Pikërisht tani kur jemi në fazën e finalizimit të këtij projekti dhe në prag të skadimit të afatit për aprovim të vendosur nga MCC dhe SHBA, Qeveria e Kosovës ka vendosur pezullimin e tij, madje duke e cilësuar gazsjellësin amerikan si gaz rus.
Prandaj unë sot, i mbështetur nga Grupi Parlamentar i AAK-së, i kam dorëzuar Kuvendit një kërkesë për debat parlamentar, për të diskutuar hapur e me argumenta për këtë çështje tejet të rëndësishme për Kosovën dhe partneritetin me SHBA.
Çështja e gazit amerikan nuk mund as të mjegullohet e as të spostohet me të pavërteta.RH./InLajmi/




















