Ministri i Mbrojtjes së Sllovenisë, Matej Tonin dhe ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, Xhelal Sveçla, kanë nënshkruar një marrëveshje për bashkëpunim në mbrojtje kundër katastrofave natyrore, marrëveshje kjo e nënshkruar në emër të 2 qeverive, asaj të Republikës së Sllovenisë dhe Republikës së Kosovës, përcjell InLajmi.
Marrëveshja përfshinë kushtet kornizë për bashkëpunim dhe përgatitje në parandalimin e katastrofave, ndihmën reciproke vullnetare në rast katastrofash tek pala tjetër dhe forma të ndryshme të bashkëpunimit reciprok.
Përveç mbrojtjes nga katastrofat dhe ndihmës për shpëtim dhe lehtësim nga katastrofat, marrëveshja parashikon bashkëpunimin në shkëmbimin e njohurive shkencore dhe teknike dhe shkëmbimin e ekspertizës mbi mbrojtjen nga katastrofat, edukimin dhe trajnimin e personelit të përfshirë në aktivitetet e mbrojtjes dhe shpëtimit, zhvillimin dhe prodhimin e pajisjeve mbrojtëse dhe të shpëtimit dhe të 2 vendet do të bashkëpunojnë gjithashtu në informimin e njëri-tjetrit mbi rreziqet e aksidenteve dhe pasojat e tyre./InLajmi/