Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka kanë shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të gazetarit dhe komentatorit sportiv Kosta Grillo.
Në rrjetet sociale, Kryeministri ka shkruar se me Kosta Grillon ka qenë mik prej fëmijërisë.
“Lamtumirë Kosta. Shok qysh prej fëmijërisë, pastaj zë i dashur i sfidave futbollistike për vite e vite, sportdashës i paepur e njeri plot energji pozitive… humbi jetën në sfidën me virusin e mallkuar”, ka shkruar Rama.
Ndërsa Presidenti i FSHF thotë se sportdashësve do t’u mungojë zëri i Kosta Grillos në komentimin e ndeshjeve.
“I dhimbshëm lajmi për ndarjen nga jeta të gazetarit e komentatorit të mirënjohur sportiv, Kosta Grillo, cili nuk ia doli dot të fitojë betejën me Covid-19. Një personazh mjaft i dashur për sportdashësit shqiptarë, të cilët për vite me radhë kanë përjetuar emocionet e ndeshjeve nga ekrani i televizorit me komentin e Kostës. Dua t’i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Grillo, të afërmve dhe miqve të tij. I paharruar qoftë kujtimi i tij. U prehtë në paqe”, ka shkruar Armand Duka.
Edhe kryedemokrati Lulzim Basha shkruan se humbja e gazetarit Grillo është lajm i trishtë për sportdashësit.
“Fatkeqësisht komentatori i njohur sportiv, Kosta Grillo, e humbi betejën me COVID-19. Një lajm i trishtë për sportdashësit që falë zërit dhe profesionalizmit të tij kanë njohur emocionet e fushës së gjelbër. Ngushëllime të sinqerta familjes, miqve dhe kolegëve”, thotë Lulzim Basha, përcjell tvklan.al
Komentatori sportiv Kosta Grillo u nda nga jeta në një spital në Turqi pasi ishte infektuar me virusin Covid-19.