Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka takuar banorët e Tavnikut dhe Shipolit bashkë me kandidatin e kësaj partie për kryetar të Mitroicës, Bedri Hamzën, përcjell InLajmi.
Krasniqi përmes një postimi në Facebook, ka thënë se në takim është diskutuar për programin e PDK-së për qeverisje të kësaj komune në 4 vitet e ardhshme.
Ai tha se mitrovicasit kanë mundësinë e artë të qeverisen nga një profesionist e politikan shembull siç është Bedri Hamza.
Postimi i tij i plotë:
Në takime me banorët e Tavnikut dhe Shipolit, bashkë me kryetarin e ardhshëm të Mitrovicës, Bedri Hamzën, diskutuam për vizionin dhe programin e tij për qeverisjen e kësaj komune në katër vitet e ardhshme.
Partia Demokratike e Kosovës është më se e vendosur dhe e gatshme për të rimarrë përgjegjësitë e qeverisjes në Mitrovicë, pas degradimit tetë vjeçar të këtij qyteti, si pasojë e qeverisjes klienteliste, diskriminuese e jotransparente.
Qytetarët e Mitrovicës e kanë mundësinë e artë që të udhëhiqen nga një njeri i ndershëm, intelektual, profesionist e politikan shembull, siç është Bedri Hamza, për t’i dhënë Mitrovicës një qeverisje gjithpërfshirëse, të hapur e zhvillimore, siç e meriton. #PDK177./InLajmi/