Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe kolonelin Ejup Maqedonci, bisedoi sot në një takim virtual me pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, përcjell InLajmi.
Ky takim u zhvillua me ata pjesëtarë të cilët janë duke studiuar në Akademinë Ushtarake Mbretërore Sandhurst, në Britaninë e Madhe.
Ata e njoftuan kryeministrin për mbarëvajtjen e studimeve dhe performancën e tyre në akademinë e mirënjohur në Sandhurst.
“Edhe në të kaluarën oficerët tanë kanë treguar rezultate jashtëzakonisht të larta duke sjellë në Kosovë shpatën e Princit Charles dhe medaljet e çmimet më të larta të Akademisë. Kjo nuk ishte aspak e lehtë kur kemi parasysh konkurrencën dhe nivelin e lartë të oficerëve britanikë dhe ndërkombëtarë në atë akademi”, tha ai.
Kurti tha që synmi i Qeverisë së Kosovës gjatë kësaj periudhe është rritja e buxhetit për ushtrinë.
“Vendimi për rritjen e buxhetit për Ministrinë e Mbrojtjes ka synim që vendi ynë të ndërtojë kapacitetet e mbrojtjes, me qëllim që FSK të jetë e gatshme të mbrojë territorin e vendit tonë, të ruajë rendin kushtetues, të mbështesë autoritetet civile në rast krizash si dhe të jetë e gatshme për pjesëmarrje në operacione ushtarake ndërkombëtare“, tha ai.
Pjesëtarët e FSK-së e falënderuan kryeministrin për mbështetjen e vazhdueshme nga Qeveria e Kosovës dhe FSK-ja, si në aspektin e mirëqenies së pjesëtarëve atje, ashtu edhe për kujdesin dhe motivimin e vazhdueshëm. /InLajmi/