Ministja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dha informacione për tërheqjen e vendit nga projekti për ndërtimin e infrastrukturës së gazit, e cila financohet nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit e Qeverisë së SHBA-së (MCC), përcjell InLajmi.
Rizvanolli në seancën e sotme të Kuvendit tha që disa investitorë nuk kanë shprehur fare interesim për këtë investim, ndërsa disa të tjerë kanë vënë kushte të pafavorshme për vendin.
Ajo shtoi se e kanë pasur të paqartë se çfarë efekti do të kishtë kjo tek çmimet për konsumatorët.
“Së pari kosto totale prej 379 milionë dollarë e cila është paraparë nga investim i Kosovës, grand nga MCC-ja 100 milionë dollarë, ndërsa 279 milionë dollarë apo 75 për qind në pronësi të një investitori të huaj. Kjo kosto kontigjencën e ka pasur 20 për qind që do të thotë ka mundur të shkojë deri në 455 milionë dollarë. Nuk ka qenë i qartë efekti në çmimet për konsumatorët. Sipas disa përllogaritjeve, 40 euro për një megaëat ka qenë vetëm kosto e paraparë e gazit që është më e shtrenjtë 30 për qind se kosto aktuale. Është pritur që së paku dy herë të rritet çmimi i kostos. Ndërsa, investitorët që janë intervistuar, disa prej tyre nuk kanë shprehur interesim për investim. Invensistorët që kanë treguar interesim kanë treguar interesim me kushte të pafavorshme. Kanë kërkuar kthim të investimit për vetëm 10 vite, kanë kërkuar një marrëveshje për blerje për 10 vite”ka deklaruar ajo.
Rizvanolli ndryshe tha që Fondet e MCC nuk kanë qenë të alokuara për infrastrukturë gazi specifikisht, por kanë qenë të alokuara për një program për Kosovën.
Sipas Rizvanollit kosto në këtë fazë nuk ka qenë e qartë sepse studimi i fizibilitetit ka qenë ende duke ndodhur dhe studimet e fizibilitetit janë ende duke ndodhur.
“Fondet e MCC nuk kanë qenë të alokuara për infrastrukturë gazi specifikisht. Kanë qenë të alokuara për një program për Kosovën. Energjia është përzgjedhur si sektorë për arsye se në vitin 2016 MCC ka bërë së bashku me Qeverinë e Kosovës një hulumtim i cili ka treguar se energjia është sektor problematik që përbën një pengesë për zhvillim ekonomik në Kosovë. Ka mundur të ketë edhe projekte tjera, qeveritë e kaluara e kanë përzgjedhur infrastrukturën e gazit si opsionin më të mirë sipas tyre. Projekti i dizajnuar nga qeveritë e kaluara dhe MCC ka paraparë që gazsjellësi Shkup-Prishtinë, një gyp transminsioni me kosto 104 milionë dollarë të ndërtohet me kredi nga BERZH-i dhe Grand WBIF. 80 për qind kredi nga BERZH-i që do ta merrte Qeveria e Kosovës dhe 20 për qind nga Grand WBIF”, tha ajo.
Rizvanolli deklaroi se si rezultat kosto e gazsjellësit nuk është e qartë pasi parashihet me një kontigjencë 40 për qind, që do të thotë se kjo kosto 104 milionë dollarë mund të ngritet deri 145.6 milionë dollarë.
“Gazjellësi nuk lidhet me projektin e MCC-së. Financimi për gazsjellësin nuk ka pasur të vij nga projekti i MCC. Kjo është pjesë e cila mund të realizohet siç ka qenë e paraparë me BERZH-in dhe WBIF nëse ne vendosim. Gypat e distribucionet për Sharcem dhe Feronikel 4 milion dhe 20 milionë dollar. Kjo ka qenë e paraparë të financohet me grand të MCC-ë. Në këtë pikë kemi pasur dilema për arsyeshmërinë ekonomike. Nuk ka qenë e qartë nëse këto firma kanë interesim dhe sa do të zgjidhte problemin e tyre. Javën e kaluar bashkë me ministrin Murati personalisht i kemi takuar përfaqësuesit e Feronikelit të cilët na kanë njoftuar se vetëm për ngrohje do të mund ta përdornin gazin do të thotë të mbulonin vetëm 15 për qind të kërkesës së tyre për energji elektrike. Ndërsa ne po flisnim për 20 milionë dollarë të taksapaguesve amerikanë për ta paguar gypin deri te Feronikeli. Pastaj është paraparë një termocentral me gaz prej 250megawat për kërkesë bazë dhe 98.5 MW rezervë terciale”, shtoi Rizvanolli. /InLajmi/