Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka deklaruar se së shpejti do të hapet konkursi i rekrutimit në ushtrinë e Kosovës, përcjell InLajmi.
Ai tha që ky është një konkurs i madh në të cilin do të pranohen rreth 850 rekrutë të rinj.
Mehaj shtoi se ky konkurs do të monitorohet nga Kallxo.com dhe e gjitha do të incizohet me kamera dhe se bordi do të jetë professional e i paanshëm për të përzgjedhur më të mirët.
“Për proceset e kaluara edhe unë kam dëgjuar se ka pasur ankesa, ka pasur dyshime për proceset e rekrutimeve. Unë u them të gjithë të rinjve e të rejave të Republikës së Kosovës, se nën udhëheqjen time do të ketë proces të drejtë, të barabartë, strikt e profesional në çdo rekrutim. Shumë shpejt do të hapet konkursi për rekrutimin më të madh ndonjëherë në Republikën e Kosovës. Do të pranojmë rreth 850 rekrutë të rinj, procesi do të monitorohet nga Kallxo.com, e edhe do të incizohet të gjitha me kamera. Bordi do të jetë profesional e i paanshëm, për të përzgjedhur më të mirët. Por kam edhe një kërkesë, nëse vëreni anime, jo profesionalizëm, nëse vëreni se dikush favorizon dikë, dërgoni te unë ato informata, e unë iu garantoj se ata nuk kanë vend brenda Ministrisë së Mbrojtjes, për këtë zotohem para juve e para qytetarëve të Kosovës”, tha Mehaj. /InLajmi/