Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se marrëveshja e së enjtes e nënshkruar në Bruksel është e një rëndësie të veçantë për ta.
Për të pjesa më e rëndësishme është ajo për tërheqjen e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës dhe dërgimi i forcave të KFOR-it në veri.
“Më e rëndësishmja për njerëzit tanë nga kjo marrëveshje është largimi i Njësive Speciale dhe dërgimi i KFOR-it me anë të së cilës fuqizohet Rezoluta 1244”, ka thënë Petkoviq, transmeton Klankosova.tv.
Ai më tej ka thënë se sipas marrëveshjes nuk do të ketë largim të targave “KM” në pjesën veriore.