Franca vazhdon të dhurojë shfaqje të pazakonta dhune si pasojë e veprimeve të tifozëve në tribuna. Ndeshja mes Olimpik Marsejës dhe Gallatasarajit në grupet e Europa League, nuk bëri përjashtim.
Në fundin e pjesës së parë, tifozeritë e dy skuadrave të cilat para ndeshjesh kishin qëndruar së bashku, nisën një luftë të mirëfilltë duke gjuajtur njeri-tjetrin me fishekzjarrë.
Flakadanët fluturonin nga një tribunë në tjetrën dhe pastaj nisën të vërviteshin edhe ndaj forcave të rendit që u munduan të qetësonin situatën. Kjo solli përplasje në tribuna si dhe ndërprerjen e ndeshjes për rreth 7 minuta, derisa u vendos qetësia dhe dueli mund të riluhej përsëri, shkruan tvklan.al
Ndeshjet e kampionatit francez në këtë sezon janë shoqëruar në mënyrë të pazakonte me ngjarje dhune, me tifozët që kanë hyrë deri në fushë, me raste duke sulmuar edhe lojtarët siç ndodhi në sfidën mes Olimpik Marsejës dhe Anzhe.