Gazetari i Klan Kosovës, Haris Ademi, i cili ka përcjellur nga afër protestat e serbëve në pikat kufitare Jarinje e Bërnjak, ka rrëfyer eksperiencën e mbulimit të këtyre zhvillimeve.
Ademi tha se në pikën kufitare në Jarinje terreni ka qenë më ndryshe për shkak se ka pasur më shumë protestues.
“Kjo ka qenë përvojë e re por edhe sfidë. Ne gazetarët, përkundër situatës i duam këto terrene. Komunikimi me protestuesit serbë ka qenë i vështirë sepse shumica prej tyre nuk kanë pranuar të komunikojnë”, është shprehur Ademi në “Info Magazine” në Klan Kosova.
Tutje, ai tha se nga afër kanë mundur të kuptojnë që shumë prej protestuesve, pjesëmarrjen e kanë pasur edhe orar pune, pasi që janë ndërruar në baza kohore, ku kanë qëndruar për rreth 12 orë.
Më tej, Ademi thotë se në ditën e parë, komunikimi mes protestuesve dhe Policisë së Kosovës ka qenë më i vrazhdë dhe kanë marrë ofendime teksa ditëve tjera është qetësuar.
“Halli ynë kryesor nuk ka qenë si të qëndrojmë në ato situata, por përshtypja jonë ka qenë që të dalim sa më mirë para publikut. Por, marrë parasysh që ka qenë një terren jo i zakonshëm, atëherë jemi menduar disa herë përpara se të raportojmë sepse edhe ne si media kemi mundur të ndikojmë në tensionimin e situatës”, është shprehur Ademi.
Ai shtoi se përkundër provokimeve të serbëve, sjellja e Policisë së Kosovës ka qenë profesionale.