Bisedimet tregtare midis Australisë dhe Bashkimit Evropian u shtynë, për shkak të një grindjeje me Francën mbi të ashtuquajturin pakt të sigurisë Aukus.
Muajin e kaluar, Kanbera anuloi një marrëveshje prej 37 miliardë dollarësh me Parisin, për të ndërtuar një flotë nëndetësesh konvencionale.
Në vend të saj, ajo do të ndërtojë së paku 8 nëndetëse me energji bërthamore, me teknologji të SHBA-së dhe Britanisë.
Vendimi e zemëroi Parisin, i cili e cilësoi paktin midis Australisë, SHBA-së dhe Britanisë si “goditje në shpinë”.
Në solidaritet me Francën, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vuri në dyshim arritjen e një marrëveshjeje tregtare midis BE-së dhe Australisë.
Rundi i 12-të i bisedimeve BE-Australi, i paraparë të mbahet në tetor, u shty për në nëntor.
Në qershor, pas rundit të fundit të bisedimeve për një marrëveshje të tregtisë së lirë, Komisioni Evropian tha se negociatat “kanë shënuar përparim në shumicën e fushave”.
Raundi i ardhshëm i bisedimeve pritet të trajtojë një numër çështjesh, përfshirë: tregtinë, investimet dhe të drejtat e pronësisë intelektuale, por rezultatet nga ky takim mbeten të paqarta, shkruan REL.
BE-ja është partneri i 3-të më i madh tregtar i Australisë; tregtia e mallrave dhe shërbimeve midis tyre arriti në pothuajse 72 miliardë dollarë vitin e kaluar.