Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve sot ka operacionalizuar Masën 3.1 për mbështetjen e familjeve që kanë humbur anëtarin e familjes nga koronavirusi, përcjell InLajmi.
Aplikimi do të mund të bëhet online duke plotësuar formularin në vijim: https://masa3-1.rks-gov.net
Aplikimi do të jetë i hapur deri me 30 nëntor 2021, dhe përveç detajeve personale të aplikuesit dhe familjarit që ka humbur jetën, nevojitet edhe:
– kopja e skanuar/fotografuar e letërnjoftimit;
– çertifikata civile që dëshmon lidhjen familjare të aplikuesit me familjarin që ka humbur jetën.
Të drejtë aplikimi kanë vetëm anëtarët e familjes së ngushtë (bashkëshorti/ja, fëmiu, ose prindi) për familjarin e vdekur nga COVID-19. Konfirmimi do të bëhet me listën e vdekjeve të konfirmuara prej COVID-19 nga IKSHPK.
Për ata që humbin familjarin pas datës 1 tetor 2021, parakusht për kualifikim për mbështetje do të jetë edhe vaksinimi me dy doza të vaksinës anti-COVID-19 i personit që ka humbur jetën.
Shuma e mbështetjes për aplikimet që përmbushin kriteret do të jetë 1,500 euro pagesë e njëhershme. Ndërsa mbështetje e veçantë do të jetë për personelin shëndesor të institucioneve publike që kanë humbur jetën në luftën e tyre me pandeminë. /InLajmi/