Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e PDK-së, Uran Ismaili ka mbajtur një konferencë për media, ku ka folur për planin e tij për Prishtinën, raporton InLajmi.
Ismaili tha se në projekte të tij hyn edhe krijimi i një rripi të gjelbër që ndërlidh lagjet me hapësirat e gjelbëra ekzistuese me hapësirat që do t’i krijohen e të cilat do të mirëmbahen me sistem efiçient të ujitjes.
Ai ka thënë se dizajnimi i rripit të gjelbër, përfshinë mobilerinë urbane, ndriçimin, llojet e drunjve dhe të gjelbërimit që do të përdoren, duke krijuar një tërësi që shtrihet nga rrethi me flamur e deri në parkun e Gërmisë.
“Gjatë krejt kësaj kohe, bujtjeve e diskutimeve të shumta me qytetarët, në secilën lagje të Prishtinës, kërkesa më e shpeshtë ka qenë krijimi i hapësirave të gjelbërta, krijimi i mundësive për ecje (për nënat, fëmijët, të moshuarit), fitnes, çiklizëm e lëvizje me trotinetë e mjete tjera të transportit që nuk përfshijnë automjetet”.
“Unë e kam përmendë një statistikë befasuese edhe në disa raste tjera – sot, vetëm 1% e banorëve të Prishtinës përdorin biçikletat për transport, por 50% e tyre shprehen të gatshëm me i përdorë ato – nëse kishin me pasë kushte e siguri.”
“Prandaj, sot jemi në parkun Adem Demaçi për me zbuluar një komponentë të programit tim për Prishtinën e Gjelbër, të cilën ne e kemi quajtur ‘Rripi i Gjelbër’”.
Ai tha se mendon që këtë projekt ta përfundojë më së largu deri në Dhjetor të vitit 2024./InLajmi/