Ish-drejtori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Bashkim Smakaj, ka folur rreth gjendjes në veri pas hyrjes së fuqi të masës së reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia të vendosur nga Qeveria e Kosovës.
Smakaj tha se bllokimi i rrugës dhe dy pikave kufitare në Jarinje dhe Bërnjakë është një skenar që Serbia e përdorë për 14 vjet rresht.
“Është organizim i planifikuar. Është skenar, është metodë e punës në vazhdimësi. Sidomos këto 14 vitet e fundit kjo metodë e punës është aplikuar nga të gjitha strukturat që operojnë në vëri”, tha Smakaj në Rubikon në Klan Kosova.
Ai theksoi se kërkesat për mobilizime të tilla shteti serb i realizon përmes Listës Serbe.
“Unë nuk pres që të ketë urdhra direkte prej Serbisë, por Serbia urdhrat dhe kërkesat për mobilizime të tilla i ka bërë përmes strukturave të veta në veri që operojnë. Shpesh grupe para institucionale”, shtoi ai.
Ish-shefi i AKI’së tha se numri i protestuesve rritet në varësi prej kërkesave që ka Serbia.
“Nuk duhet të merret për bazë ai numër që qëndron aty. Numri është në varësi të kërkesës që e dërgon Serbia. Dhe çfarëdo kërkese që do ta ketë Serbia ai numër do të përgjigjet”, tha Smakaj.