Moskërkesa e Kurtit për involvim të SHBA-së në dialog po cilësohet si agjenda anti-kombëtare
Refuzimi i Qeverisë Kurti për zbatimin e marrëveshjes së Uashingtonit, po konsiderohet si involvim të agjendave anti-kombëtare, kështu po mendon ish-zëvendëskryeministri, Driton Selmanaj.
Ndërsa analisti politik, Gazmir Raci, thotë se kjo marrëveshje do të kishte impakt ekonomik për vendin tonë. Selmanaj e Raci, thonë se kjo marrëveshje është konsideruar historike.
Por dyshime po ka deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj. Ai thotë se shefi i ekzekutivit nuk po kërkon involvimin e SHBA-së në dialog, duke thënë se të njëjtën e kanë kërkuar të gjitha qeveritë e kaluara.
Teksa ka përmendur dobitë e marrëveshjes së Uashingtonit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, deputeti i LDK-së ngre dyshime se kryeministri Albin Kurti po punon për interesa që janë në dëm të Kosovës.
“Ne kemi qenë të bindur se ajo marrëveshje është pozitive për shtetin tonë në shumë dimensione, edhe në aspekt të fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar, me të cilën e morën njohjen nga Izraeli, ku përkundër kishim një periudhë vetëm ç’njohje për Kosovën. Nga ana tjetër në kontekstin ekonomik, ku parashihej afro 1 miliard dollarë investime në Kosovë”.
“Kishim edhe marrëveshjen për sjelljen e gazit në Kosovë, që është një nga projektet më strategjike të interesave tona si komb, por edhe për tej, dhe si i tillë e kemi parë një marrëveshje më shumë vlerë por ajo çka është për neve që është e papranueshme dhe që është lajm i keq për Kosovën është që Qeveria Kurti nuk po merret fare me këtë temë, dhe kjo është më tepër se shqetësim, sepse administrata e re në SHBA, ka konfirmuar mbështetjen e fuqishme të kësaj marrëveshje, tash kur e sheh këtë qasje të kryeministrit tonë, unë mendoj që kjo më tepër të qetë në rrafsh të dilemave vërtetë mos janë involvuar agjenda tjera, ku me apo pa vetëdije edhe kryeministri jonë ka hy në ato agjenda”, u shpreh Selmanaj.
E sa i përket dialogut me Serbinë, Selmanaj thotë se kryeministri nuk po kërkon involvim të ShBA-së në këtë proces. Madje sipas tij, involvim kanë kërkuar edhe Qeveritë e kaluara.
“Duke e njohur kapacitetin e tij, nuk më duket që është krejtësisht pavetëdije. Më tepër mendoj që është si rezultat i qasjes së tij dhe pjekjes politike. Duket sikur vlerat properëndimore e ato amerikane, duket se zotri Kurti ka disa orientime tjera. Ju po e shihni se edhe në procesin e dialogut me Serbinë, nuk ka një insistim që ta involvojë SHBA-të në këtë proces”.
“Të gjitha qeveritë kanë qenë të bindura se pa involvimin e SHBA-ve në dialog, nuk mund të ketë rezultat, dhe këtë e di edhe vetë kryeministri. Tashmë pse vet nuk insiston që të jenë SHBA në tavolinë, më bën të dyshoj se mos është pjesë e agjendave tjera që nuk ia duan të mirën Kosovës”, thotë Selmanaj.
Veprim anti-kombëtar e quan edhe veprimin për hapjen e arkivave të UÇK-së. Për të njëjtën thotë se Serbia e ka kërkuar edhe në kohën kur shef qeverie ishte Avdullah Hoti.
“Me këtë qasje se çfarë po ndodh në procesin e dialogut, sidomos veprimi i fundit për të hap arkivat e UÇK-së, unë mendoj që është veprim më anti-kombëtar që është bërë 20 vjet e fundit. Ne kemi qenë pjesë e dialogut, ku zotri Hoti ka qenë në dialog, dhe disa takime janë mbajt për këtë çështje. Është kërkuar me ngulm nga Serbia që arkivat e UÇK-së të hapen, dhe në asnjë variant nuk kemi pranuar që UÇK-ja dhe arkivat të bëhet pjesë e negociata kur të flasim për të pagjeturit, sepse ne jemi të vetëdijshëm që nuk ka arkiva dhe lufta e UÇK-së është e shenjtë”, u shpreh Selmanaj,
Nënshkrimi të marrëveshjes së Uashingtonit po kërkon edhe analisti politik, Gazmir Raci. Për Ekonomia Online, Rraci thotë se Kosova duhet t’i zbatojë marrëveshjet ndërkombëtare, sidomos të iniciuara nga ShBA-ja.
“Kosova duhet të qëndrojë besnike ndaj obligimeve të saja që i ka marrë në arenën ndërkombëtare, edhe ndaj marrëveshjes së Uashingtonit. Pra kjo marrëveshje me disa pika që kanë diskutabile, prapëseprapë, Kosova duhet ta zbatojë, sepse është obligim ndërkombëtar që është marrë në Shtëpinë e Bardhë, dhe është marrë në bashkëpunim me aleatin tonë kryesor, që janë SHBA-ja, pra nuk duhet të kemi diskutime në këtë aspekt, për shkak se ne kemi ndërtuar një aleancë për ShBA-në, dhe nuk guxojmë ta dridhim atë aleancë strategjike që e kemi, duke mos i respektuar obligimet ndërkombëtare. Ne jemi shtet i njohur ndërkombëtarisht i mbështetur nga SHBA-ja, andaj duhet t’i qëndrojmë besnik. Rezultati kryesor nga ajo marrëveshje është njohja nga Izraeli”, u shpreh Raci.
Teksa ka folur për këtë, ish-këshilltari i Edita Tahirit, thotë se kjo marrëveshje do të kishte impakt ekonomik për vendin.
Ai thotë se patjetër që Qeveria duhet t’i thotë po një investimi strategjik, pasi sipas tij, Kosovën mund ta fuqizojë në arenën ndërkombëtare.
“Pastaj është edhe rruga që e lidh autostradat tona me ato të Serbisë, këtu kanë impakt ekonomik. Pastaj është gazsjellësi që është një projekt strategjik që nuk do të fillojë e as të përfundojë me këtë Qeveri, pra është projekt afatgjate. Edhe në këtë aspekt Qeveria e Kosovës, pa dallim duhet t’i thonë Po një investimi strategjik sepse Kosovën vetëm e fuqizon në arenën ndërkombëtare dhe e bën faktor stabiliteti edhe të paqes në Ballkanin Perëndimor”, tha ai për EO.
Ish-këshilltari i Edita Tahirit, nuk beson se mund të shkaktohen përçarje ndërmjet Kosovës de SHBA-së.