Kryeministri Albin Kurti, ka reaguar pas djegjes së zyrave në Zubin Potok, përcjell InLajmi.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se hetimet tregojnë që kjo zjarrëvënie ishte e qëllimshme, duke bërë të ditur se edhe në Zveçan janë hedhur 2 bomba dore, të cilat nuk kanë eksploduar.
Kurti tha se këto veprime po nxiten e mbështeten nga Serbia, që po përdor qytetarët për të provokuar konflikt serioz ndërkombëtar.
Ai ka bërë thirrje për të gjithë qytetarët që të ruajnë qetësinë dhe të bashkëpunojnë me institucionet e vendit.
Postimi i plotë i tij:
Hetimet preliminare tregojnë që djegia e ndërtesës së Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok nuk ishte aksidentale por e qëllimshme. Edhe në Zveçan kanë hedhur dy bomba dore, po ashtu në ndërtesën e qendrës së njëjtë për regjistrimin e automjeteve, por ato fatmirësisht nuk kanë eksploduar. Individë ose grupe të cilave sundimi i ligjit dhe rendi e siguria publike ua rrezikon aktivitetin kriminal po e sulmojnë shtetin tonë dhe po e cenojnë paqen. Qartazi ata po i nxit e mbështet Serbia, përkatësisht regjimi autokrat atje. Fatkeqësisht, para syve të bashkësisë ndërkombëtare, Serbia po përdorë qytetarë të Kosovës për të provokuar konflikt serioz ndërkombëtar.
Sulmet e këtilla zjarrvënëse dhe kriminelët që i bëjnë ato nuk do të tolerohen. Policia e Kosovës është institucion profesional që duhet respektuar nga të gjithë. U bëj thirrje qytetarëve, sidomos në veri të Ibrit, pavarësisht a janë serbë, shqiptarë, boshnjakë apo romë, që ta ruajnë qetësinë dhe të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës./InLajmi/