Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar thotë se përparësia kryesore në këtë detyrë do të jetë integrimi më i shpejtë i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Në një intervistë gjithëpërfshirëse për Shefin e Shërbimit Shqip të Zërit të Amerikës, Arben Xhixho, zoti Escobar, i emëruar rishtazi në këtë detyrë, ndalet në tensionet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, dialogut mes tyre, luftën kundër korrupsionit, përcaktimin publik nga Sekretari i Shtetit të ish Kryeministrit Sali Berisha, në situatën në Bosnje Hercegovinë dhe në rolin e Kinës dhe Rusisë në Ballkanin Perëndimor.
Zëri i Amerikës: Zoti Escobar cilat do të jenë përparësitë tuaja për Ballkanin Perëndimor? Cilat do të jenë çështjet më të ngutshme me të cilat do të merreni?
Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Janë 2 çështje shumë, shumë të rëndësishme. Çështja e parë, që është afatmesme, ne do të donim të shihnim integrim më të shpejtë të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Ne mendojmë se këto vende kanë bërë përparim të jashtëzakonshëm, sepse janë kulturalisht, historikisht dhe ekonomikisht evropianë. Shumë nga vendet kanë bërë tashmë reforma të jashtëzakonshme. Dhe për Evropën, ky është një hap që ia vlen ta ndërmarrë.
Ato ndajnë të njëjtat vlera e interesa të përbashkëta me pjesën tjetër të Evropës. Pra, kjo është e rëndësishme dhe do të jetë një përparësi. Paralel me këtë është edhe anëtarësimi në NATO, për ata që janë të interesuar. Kjo padyshim do të më kërkojë që të punoj shumë ngushtë me partnerët tanë evropianë, shumë prej të cilëve ndajnë pikëpamjen tonë rreth kësaj çështjeje. Por nga perspektiva jonë, ky duhet të jetë një proces, që duhet bërë dinamik dhe aktiv. Kështu që do të doja të shihja njëfarë dinamizmi në këtë proces.
Procesi tjetër ka të bëjë me të ardhmen, për brezin e ardhshëm të Ballkanit. Dhe për këtë ne po shqyrtojmë mundësi ekonomike. Ballkani Perëndimor është një zonë e mundësive. Ata janë dinamikë, kanë universitete të shkëlqyera, kanë njerëz shumë të kualifikuar. Për fat të keq, shumë njerëz nuk shohin mundësi në vendet e tyre dhe po largohen. Me kalimin e kohës, ky largim do të bëhej një problem strategjik, jo vetëm për vendet e Ballkanit, por edhe për Evropën dhe Shtetet e Bashkuara. Pra unë jam shumë i interersuar për gjithë këto çështje dhe ide për integrimin ekonomik. Nëse shikoni Ballkanin Perëndimor në tërësi, teorikisht mund të keni një grup ekonomik prej 6-të vendesh, ndoshta edhe më shumë, prej rreth 20 milionë banorësh, me një prodhim të brendshëm bruto prej rreth 125 miliardë dollarësh dhe me ritme të rritjes ekonomike deri në 5%. Duke pasur parasysh këtë, do të ishte rajoni me rritjen më të shpejtë në Evropë. Dhe kjo është pozitive, për ne politikisht, dhe mendoj se do të jetë pozitive edhe për investitorët amerikanë, që duan të shikojnë atë pjesë të botës.
Zëri i Amerikës: A jeni i shqetësuar për rolin e Rusisë dhe Kinës në rajon? Analistët thonë se mungesa e një roli të fuqishëm të SHBA-së do të bëjë që boshllëku të mbushet nga Rusia dhe Kina.
Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Po jam i shqetësuar. Të jem i sinqertë, mendoj se në hapësirën Evropiane dhe në atë të Evropës Perëndimore, vendet duhet të ndihen se kanë mundësi të tjera përveç Kinës nga pikëpamja ekonomike. Hapja e zyrës së Korporatës Financiare Ndërkombëtare për Zhvillim në Beograd ishte një shembull i shkëlqyer i angazhimit tonë në rajon. Unë po punoj shumë ngushtë me Dhomat Amerikane të Tregtisë në të gjitha këto vende, si një mënyrë për të inkurajuar njerëzit që të shohin përtej Kinës për projekte të mëdha infrastrukturore dhe investime, sepse investimi ynë në fakt, vjen me përfitime afatgjata për rajonin.
Në rastin e Rusisë ne mendojmë se shumë nga gjërat që bën Rusia për të ndërhyrë në politikën e brendshme të vendeve, veçanërisht në Mali të Zi, është shumë destabilizuese, na largon më shumë nga rruga e integrimit evropian dhe akoma më larg nga pajtimi shumë-etnik.
Zëri i Amerikës: Sa i shqetësuar jeni nga tensionet e fundit që kanë shpërthyer mes Kosovës dhe Serbisë lidhur me çështjen e targave? A po e bëjnë të dyja palët për përfitime politike me zgjedhësit e tyre, apo ekziston një mundësi serioze e përshkallëzimit të situatës?
Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Shikoni, më duhet të them se ne jemi shumë të angazhuar në këtë çështje me partnerët tanë evropianë. Ne besojmë se të 2-ja palët duhet të përmbahen e të mos përdorin retorikë të dëmshme dhe të 2-ja palët duhet ta përqendrojnë vëmendjen dhe energjinë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Ne e mbështesim këtë dialog 100% dhe unë jam në kontakt të përditshëm me Miroslav Lajçakun. Ai ka disa propozime shumë të mira. Ai po përpiqet t’i sjellë të 2-ja palët në Bruksel lidhur me çështjen e targave, me synimin për të negociuar një zgjidhje të qëndrueshme dhe ka disa zgjidhje të mira. Por varet nga të 2-ja palët, që të bien dakord për ta diskutuar këtë, u takon atyre të shkojnë në Bruksel dhe ta trajtojnë këtë çështje. Është gjithashtu në dorën e të 2-ja palëve, që të mos ketë një qasje ushtarake ndaj kësaj çështjeje dhe të mos dërgojnë Forca Speciale në një vend ku kemi KFOR-in. Nuk ka nevojë për një gjë të tillë. Lidhur me çështjen e targave ne do të donim të shihnim disa lëvizje në Bruksel, ndoshta që javën e ardhshme.
Për sa i takon çështjes më të gjerë të dialogut, ka shumë gjëra në tryezë, duke përfshirë disa çështje të menjëhershme, që mendoj se duhet të ndodhin, si ajo e personave të zhdukur, ose ajo e energjisë, për shembull. Por përsëri, përmes dialogut, ky është kanali të cilin ne e mbështesim.
Zëri i Amerikës: SHBA dëshiron të shohë një zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë të bazuar në njohjen reciproke mes 2 vendeve dhe mbështet dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, një proces që zvarritet prej 10 vitesh, pa shumë përparim. A është koha për një qasje të re?
Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Jo qasje, mendoj se është koha për një përpjekje të përtërirë për dialogun. Dialogu ka nevojë për mbështetje nga Bashkimi Evropian.
Zëri i Amerikës: Çfarë doni të thoni me “përpjekje e përtërirë?
Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Do të thoja se, me gjithë respektin për kolegët tanë evropianë, njerëzit në rajon, nuk janë gjithmonë të bindur se Evropa i pranon ata. Pra Evropa duhet t’u japë atyre një mesazh, se këto vende do të jenë anëtare të Bashkimit Evropian dhe se do të anëtarësohen brenda një periudhe të arsyeshme kohore. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë është pjesë e kësaj përpjekjeje. Por përpjekja ka të bëjë me të gjithë rajonin. Ajo përfshin Bosnjën, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Malin e Zi. Mesazhi duhet të jetë shumë i qartë për popujt e këtyre vendeve, se ata do të jenë pjesë e Bashkimit Evropian.
Zëri i Amerikës: Në Bashkimin Evropian ka 5 vende që nuk e kanë njohur Kosovën dhe kjo është një pengesë për BE për të dalë me një qëndrim. A mund të ndihmojë SHBA-ja në njohjen e Kosovës nga këto vende?
Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Mendoj se në fund, nëse arrihet përparim në Bashkimin Evropian, në procesin e udhëhequr nga BE-ja, njohja nga këto 5 vende do të ndodhë. Nuk është se këto 5 vende besojnë se Kosova dhe Serbia nuk duhet të jenë pjesë e Bashkimit Evropian, por për arsyet e tyre të brendshme, kanë vendosur të presin për të parë rezultatet e dialogut. Prandaj dialogu është i rëndësishëm.
Zëri i Amerikës: A mendoni se Kosova dhe Serbia do të jenë në gjendje të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse gjatë administratës së Presidentit Biden?
Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Shpresoj të jetë kështu, pasi ne duhet të ecim përpara me çështje e tjera, siç është ajo e statusit të vendit kandidat dhe integrimi ekonomik për të gjithë rajonin.