Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është në ditën e 3-të të vizitës së saj zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përcjell InLajmi.
Ajo përmes një postimi në Facebook, ka informuar se në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ka vazhduar takimet me përfaqësues të shteteve të ndryshme.
Osmani ka bërë të ditur se ka takuar kryeministrin e Kuvajtit, presidentin e Senegalit, presidentin e Guinea Bisaut dhe gjeneralin Wesley Clark.
Ajo tha se gjatë këtyre takimeve u bisedua për të arriturat e deritashme të Kosovës, bashkëpunimin mes Kosovës me këto shtete dhe praninë e FSK-së në misionin paqeruajtës në Kuvajt.
Postimi i plotë i saj:
Në ditën e tretë të qëndrimit në Shtetet e Bashkuara, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, vazhduam takimet me përfaqësues te shteteve të ndryshme.
Me kryeministrin e Kuvajtit, Sheikh Sabah Al-Khaled Al-Hamad Al-Sabah diskutuam për thellimin e marrëdhënieve me Kuvajtin, praninë e ushtarëve të FSK-së në misionin paqeruajtës në Kuvajt, si dhe projektet e bashkëpunimit në të ardhmen.
Presidentit të Senegalit, Macky Sall, ia shpreha mirënjohjen e popullit të Kosovës për mbështetjen e Senegalit dhe gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për ta vazhduar edhe më tej bashkëpunimin. Kryesimi i Unionit Afrikan nga Senegali, vitin e ardhshëm, do të jetë edhe një mundësi më shumë për ta zgjeruar dialogun me vendet e kësaj organizate./InLajmi/