Hamdi Arifi nga Medvegja mëngjesin e së martës është drejtuar në Agjencinë e Regjistrit Civil në Prishtinë për t’u furnizuar me targa të përkohshme.
Kjo pas vendimit të Qeverisë së Kosovës që mos të lejojë hyrjen në Kosovë të të gjitha automjeteve me targa të Serbisë.
Ai tha se fillimisht i është thënë se nuk ka ende ndonjë informatë se si janë procedurat, por që shton se ka bërë kërkesë për furnizim me targa.
“Për ata jam edhe sot këtu mirëpo më lajmëruan se nuk kanë ende ndonjë informatë se si shkon kjo far pune”.
“Unë jam një prej tyre që kam bërë kërkesë për targa RKS dhe të shohim tash. Na këtë problem e kemi qe sa kohë kur shkojmë për Medvegj. Le ta provojnë edhe ata me pas vonesa në kufi”.
Edhe Shemsedin Beqiri, tha se e respekton vendimin e Qeveirsë, duke shtuar se e ka pasur në plan që të shkoj në kufi që të furnizohet me targa.
“Me vullnet dua ta respektoj rregullin shtetëror i cili është obligim jo veç për mua por për të gjithë. Kam ardhur ta kryejë këtë obligim që më është dalë. Megjithatë është një gjë që duhet respektuar nga të gjithë”.
“Më erdhi mirë se këtu paskan dhënë mundësi se përndryshe kam pasur plan të shkoj në kufi të furnizohem me targa. Besoj se nga deklarata në kufi të gjitha janë për ta respektuar rregullin shtetëror për tu pajisur me targa”.
Nga e marta qytetarët mund të pajisen me leje të përkohshme për targa në të gjitha Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve.
Pas skadimit të marrëveshjes së 14 shtatorit të vitit 2016, MPB njofton qytetarët se përveç mundësisë së pajisjes së tyre me targa të përkohshme të Republikës së Kosovës në të gjitha pikat kufitare, nga e marta në mesdite mund të pajisjen edhe në të gjitha qendrat e Regjistrimit të Automjeteve në Republikën e Kosovës.
Veturat me targa të Serbisë do të mund të qarkullojnë në Kosovë vetëm nëse i heqin ato dhe pajisen me targa të përkohshme të Kosovës.
Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë shoferët me targa të lëshuara nga Serbia, duhet të paguajnë 5 euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë, raporton EO.
E gjithë kjo krijoi pakënaqësi të serbëve, të cilët protestuan gjatë gjithë ditës së hënë duke kundërshtuar këtë vendim.