Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka komentuar situatën e fundit të krijuar nga vendosja e reciprocitetit për targat, përcjell InLajmi.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se e kupton sjelljen e serbëve ndaj masave e edhe atë të Serbisë, por ajo që i lë përshtypje është kundërshtimi që vjen nga vetë shtetasit e Kosovës, edhe nëse është në pyetje fushata zgjedhore.
Ai tha se shpreson që qeveria ta ketë menduar këtë si strategji e jo vetëm si një hap të vetëm.
Ahmeti bëri thirrje për qetësi dhe mature të të gjithë qytetarëve pavarësisht përkatësisë kombëtare.
Postimi i plotë i tij:
E kuptoj (jo mirëkuptoj) reagimin e Serbise ndaj masave me tabela të veturave.
E kuptoj (jo mirëkuptoj) edhe reagimin e serbeve të Kosovës.
E kuptoj edhe këndin e ndërkombëtarëve për friken nga çfarëdo eskalimi.
Por nuk e kuptoj shtetasin e Kosovës (spo them vetëm shqiptarët) që e kundërshtojnë këtë masë, edhe në qoftë se është për fushatë.
Po ashtu shpresoj se Qeveria e ka menduar këtë si strategji e jo vetëm si hap të vetëm. Reagimi i radhes i shtetit Serb sipas të gjitha gjasave do jetë bllokimi i pjesshëm i kamionëve të Kosovës apo ndonjë goditje tjetër ekonomike.
Ajo që të tjerët mund dhe duhet të bëjmë është të thërrasim për qetësi e maturi të qytetarëve të të gjitha përkatësive kombëtare./InLajmi/