Rezultatet fillestare të zgjedhjeve parlamentare në Rusi tregojnë se partia e përkrahur nga Kremlini, Rusia e Bashkuar, është në rrugë për të shënuar fitore bindëse, pas 3 ditëve të procesit të votimit, që është përcjellë me parregullsi dhe dyshime për mbushje të kutive të votimit.
Komisioni Qendror Zgjedhor ka thënë se pas pothuajse 15% të votave të numëruara, Rusia e Bashkuar, e cila përkrah fort presidentin rus, Vladimir Putin, ka fituar mbi 41 % të votave, e përcjellë nga Partia Komuniste me rreth 24% dhe Partia nacionaliste Liberal-Demokratike, me rreth 9 % të votave.
Opozita ruse shton ankesat në ditën e fundit të zgjedhjeve në Rusi
Disa sondazhe të kryera nga INSOMAR, kanë parashikuar se partia Rusia e Bashkuar do të fitojë 45.2% të votave, Komunistët rreth 21% dhe Partia Liberal-Demokratike rreth 8.7 %.
Procesi zgjedhor është përcjellë me mungesë të prezencës opozitare, pasi autoritetet i kanë shpallur ekstremiste, organizatat e lidhura me liderin e burgosur opozitar, Aleksei Navalny.
Për shkak të sistemit të votimit të partisë, të kombinuar me mandate të veçanta në distrikte, ende nuk është bërë e qartë si përkthehet rezultati në shpërndarjen e ulëseve në parlament.
Rusia e Bashkuar, që aktualisht ka 334 ulëse në parlamentin me 450 të tilla, është duke synuar të fitojë shumicë bindëse në legjislaturën e re, çka më pas i mundëson ndryshimin e kushtetutës.
Mirëpo sondazhet e pavarura tregojnë se shkalla e përkrahjes për këtë parti është në nivelet më të ulëta, prej themelimit të partisë 2 dekada më pare, përcjell REL.
Në zgjedhjet e fundit kombëtare, të mbajtura më 2016, Rusia e Bashkuar ka fituar mbi 54% të votave.