Ekspertët e drejtësisë po e shohin sfidë të vështirë procesin e luftimit të korrupsionit, derisa ky vit po karakterizohet pa ndonjë ndryshim efektiv.
Ehat Miftaraj, drejtor në Institutin e Kosovës për Drejtësi, thotë se tema e luftimit të korrupsionit akoma mbetet tabu në Kosovë, dhe që tashmë edhe viti 2021 po karakterizohet sikurse vitet e tjera pa ndonjë aktgjykim të formës së prerë.
“Fatkeqësisht korrupsioni i nivelit të lartë edhe më tutje është një nga temat tabu nga sistemi prokurorial, ai gjyqësor por edhe nga Policia e Kosovës për t’i hetuar, ndjekur dhe gjykuar brenda një afati të arsyeshëm kohor, dhe ku mund të themi të shpejtë për të ndëshkuar ata që bien apo janë pjesë e keqpërdorimeve të detyrës publike”.
“Edhe viti 2021 karakterizohet sikurse vitet e kaluara ku kemi numër të caktuar të aktakuzave, kemi numër edhe të shqyrtimeve por që po mungojnë aktgjykimet e formës së prerë, ende po mungojnë aktgjykimet që i dërgojnë në burg zyrtarët e lartë publik e pothuajse nuk ka asnjë rast të vetëm ku i konfiskohet pasuria dikujt”, tha ai.
Miftaraj thotë se parashkrimi i rasteve të ndryshme të drejtësisë nuk është risi në Kosovë, por thekson rëndësinë e vettingut, i cili sipas tij, duhet sa më shpejtë të bëhet.
“Parashkrimi i këtyre rasteve tashmë nuk është risi në Kosovë, sigurisht që ka raste ku ka të akuzuar edhe figura publike të larta, nëse raste të tilla nuk trajtohen atëherë vije te parashkrimi i të njëjtëve”.
“Nëse kjo Qeveri nuk e bën vettingun sa më shpejtë atëherë nuk mund të presim që rastet dhe veprimet të jenë në aksion. Mandej nga kjo kthehemi prapë tek vitet e kaluara ku nuk kemi adresim të saktë të hetimit të rasteve”, përfundoi ai.
Ldhur me këtë çështje në prononcimi për Ekonomia Online, avokati Arbër Jashari, tha se rastet e korrupsionit janë të ndërlikuara dhe që kërkojnë hetim profesional.
Ai tutje thekson se interesi i qytetarëve gjithmonë është tek lëndët e korrupsionit, duke theksuar se zakonisht njerëzit që më së shumti përfshihen në korrupsion janë njerëzit me inteligjencë të lartë.
“Rastet e korrupsionit janë raste më të ndërlikuara që kërkojnë hetime më profesionale e gjykime që marrin shpesh kohë. E them këtë sepse kryesisht njerëzit që janë të implikuar në rastet e korrupsionit i përkasin një elite të shoqërisë dhe janë njerëz me inteligjencë të lartë dhe që e dinë më së miri të metat e proceseve për korrupsion. Pra janë njerëz që dinë se si me veprua dhe që kanë pozita të larta e që të mos lënë gjurmë”.
Mes tjerash, Jashari tha se për të pasur një trajtim më të mirë të lëndëve të korrupsionit duhet të ketë më shumë profesionistë të të gjitha fushave.
“Gjykatat tonë dhe prokurorët shpesh kemi raste që kanë të bëjmë me prokurimin, dhe shkelin procedurat dhe këto raste dinë shpesh se si të jenë të ndërlikuara, e që ne nuk kemi profesionistë të kësaj lëmi, e madje lëndët e korrupsionit janë gjithmonë me interes për publik më shumë ndoshta sesa vjedhjet dhe lëndë të tjera. Për të pasur një luftim të korrupsionit duhet profesionistë të të gjitha niveleve e sidomos në Polici”.
Ai përmend edhe parashkrimin e rastet të korrupsionit, duke theksuar se krejt varet nga rasti në rast dhe se sa është kohëzgjatja e një vepre penale.
“Në teoritë e së drejtës njihen 2 lloje të parashkrimit, ai relativ dhe absolutë. Këto parashkrime janë me qëllimin që të ndiqen dhe gjykohen raste të caktuara. Tek rastet e korrupsionit dhe parashkrimit varet zakonisht tek rasti në rast, sa më shumë që është e dënueshme një vepër penale aq më e gjatë është edhe koha e parashkrimit. Po që zakonisht parashkrimi relativ ndërpritet kur shteti e merr një veprim”, deklaroi tutje ai.
Për të pasur një aktakuzë lidhur me një rast, Jashari thekson se duhet të ketë hetime që mund të përfshihen disa faktorë, pa mohuar faktin që kohëve të fundit pak raste kemi të hetimeve të rasteve me korrupsion.
“Për me pasë aktakuzë duhet me pasë hetime natyrisht dhe është diçka që nuk mund ta paragjykojmë, pasi këtu përfshihet edhe prokuroria dhe policia dhe se tema e korrupsionit është pak e komplikuar dhe ekzagjeruar”, përfundoi ai.