3 muaj para se të mbahen zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, një pjesë e komunave kanë ndarë katërfish më shumë leje për ndërtim nga sa ndahen zakonisht.
Në bazë të të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, gjatë muajit korrik të këtij viti, janë miratuar 1.945 leje për ndërtimin e banesave, në një sipërfaqe prej 150.000 metrave katrorë, ndërkohë që gjatë dekadës së fundit, brenda këtij muaji, mesatarisht janë dhënë 500 ose 600 leje për ndërtimin e banesave, që përfshinin një sipërfaqe prej 40.000 deri në 50.000 metra katrorë.
Mbi 70 % e këtyre banesave, do të ndërtohen në rajonin e Shkupit, përkatësisht 1.397. Më shumë leje për ndërtim, kanë dhënë kryetarët e komunave të cilët nuk do të futen në garë për të marrë besimin e elektoratit edhe për një mandat. Bëhet fjalë për Komunën e Aerodromit, atë të Qendrës dhe Karposhit komuna këto që janë pjesë përbërëse e kryqytetit maqedonas, Shkupit.
Partia maqedonase në pushtet, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, vendosi që në këto komuna të mos i rikandidojë kryetarët aktualë të komunave, përkatësisht në Aerodrom krytarin aktual, Zllatko Marin, në Qendër, Sasha Bogdanoviqin dhe në Karposh, Stefan Bogoevin, shkruan REL.
Qytetarët thonë se nuk janë kundër ndërtimeve të reja në lagjet ku jetojnë, por janë kundër ndërtimeve që uzurpojnë parkingjet dhe hapësirat e gjelbëruara.