Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se në takimin e djeshëm më të dërguarin special të BE-së, Miroslav Lajçak nuk kanë biseduar për arkivat e as për reciprocitetin ndaj Serbisë, raporton InLajmi.
Në një konferencë të mbajtur për media, Kurti është pyetur rreth takimit me Lajçak, duke thënë se nuk kanë biseduar diçka tjetër, përveç asaj që është përmendur në komunikatën e ZKM-së.
“Nuk kemi biseduar tema të cilat nuk janë përmendur në komunikatë, nuk ka pasur diçka të re që do të mund ta ndaja me juve si lajm. Nuk do të ketë takim para 6 Tetorit, kur kemi samitin në Slloveni midis BE dhe 6 shteteve të ballkanit perëndimor. Nuk ka një datë të caktuar kur do të jetë takimi jonë i radhës.
Nuk kemi diskutuar fare për çështjen e arkivave, kemi diskutuar për propozimet tona që i kemi dhënë për raportet me Serbinë dhe Ballkanin Perëndimor. Nuk e kemi diskutuar as cështjen e reciprocitetit, përveç kam theksuar se krerët e shteteve evropiane, kanë pranuar një letër nga unë për shkeljet që po i bën Serbia”, tha Kurti./InLajmi/