Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në ceremoninë e lansimit të projektit “Komunat për të rinjtë” të financuar nga Qeveria e Japonisë përmes fondit Japonez për Zhvillim Social, i cili administrohet nga Banka Botërore, përcjell InLajmi.
Kryeministri Kurti ka përgëzuar Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal për inicimin e projektit që, siç tha ai, Qeveria jonë e konsideron të rëndësishëm për shkak të theksit të tij në përfshirjen socio-ekonomike të të rinjve të margjinalizuar.

“Përmes këtij projekti, të rinjtë do të fitojnë aftësi praktike dhe do të kenë mundësi për angazhim qytetar dhe vullnetarizëm. Duke mësuar të hartojnë dhe zbatojnë projekte për lagjet e tyre, ata do të fuqizohen të kërkojnë shërbime më të mira dhe të udhëheqin zgjidhje për sfidat e komunitetit”, ka thënë kryeministri Kurti.
Në ceremoni ishin të pranishëm zëvendëskryeministrja Emilia Rexhepi, ministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i Ngarkuari me Punë në Ambasadën e Japonisë në Kosovë, Mitsunori Ogasaëara, Menaxheri i Bankës Botërore Zyra në Kosovë, Massimiliano Paolucci, kryetarët e komunave të përzgjedhura dhe partnerët zbatues të projektit.
Objektivi i projektit “Komunat për të rinjtë në Kosovë” është të përmirësojë përfshirjen socio-ekonomike të të paktën 3.000 të rinjve të margjinalizuar në komunitetet e cenueshme në Kosovë përmes angazhimit qytetar të nxitur nga të rinjtë dhe aktiviteteve të ndërtimit të aftësive./InLajmi/





















