Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka hedhur disa kritika në drejtim të kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se Qeveria e Kosovës ashtu siç nuk kishte plan konkret për pandeminë, nuk ka asnjë plan as për ekonominë, përcjell InLajmi.
Haradinaj gjithashtu ka thënë se pakoja e ashtuquajtur “Ringjallje”, nuk ka fokus e as qëllim ekonominë.
Ai ka thënë se kjo pako ka qëllim “ringjalljen e votuesve”, të cilët për pak muaj e kanë kuptuar që kanë votuar për mashtrim.
Postimi i plotë i tij:
Qeveria e Kosovës ashtu siç nuk kishte asnjë plan konkret për pandeminë, nuk ka asnjë plan as për ekonominë.
E kemi theksuar edhe në konferencën për media për temën e Ekonomisë, që pakoja e ashtuquajtur e ‘Ringjalljes’, nuk e ka as fokus e as qëllim ekonominë. Me masa tërësisht sociale, kjo pako ka të vetmin qëllim “ringjalljen” e votuesve, të cilët për pak muaj e kanë kuptuar që kanë votuar për mashtrim.
Ekonomia e Kosovës, posaçërisht sektori privat është në vështirësi dhe kërkon intervenim direkt për rimëkëmbje nga shteti. Pavarësisht që para nesh janë zgjedhjet lokale, është nevojë emergjente të merremi me ekonominë. Në të kundërtën, shteti, komunat dhe qytetarët do t’i vuajnë pasojat për shumë vite të ardhshme!
Në mungesë të reflektimit të Qeverisë, ftoj partitë politike të përkushtohemi bashkërisht.
RH /InLajmi/




















