Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në përurimin e Spitalit të Fëmijëve, i cili mundësohet nga një donacion nga Emiratet e Bashkuara Arabe, raporton InLajmi.
Kryeministri është shprehur se është kënaqësi të jetë i pranishëm në përurimin e spitalit të fëmijëve duke shtuar se janë zotuar për përmirësimin e cilësisë dhe sigurisë së shërbimeve shëndetësore.
“I jemi mirënjohës për këtë kontribut të çmuar në fushën e shëndetësisë. Përveç se investim në infrastrukturën shëndetësore ky projekt është investim në fëmijë, në të ardhmen e vendit tonë”.
“Është thelbësore që të kujdesim për ta. Gati të gjitha prioritetet tona janë të lidhur me fëmijët”.
“Ky spital do të kontribuojë në përmirësimin e jetës së fëmijëve dhe është dëshmi konkrete e miqësisë sonë me Emiratet”.
“Institucionet dhe qytetarët e Kosovës janë mirënjohës. Konsiderata që kemi për fëmijët sot tregon se çfarë të nesërme do të ketë shteti dhe shoqëria jonë”.
Kurti tha se do të punojnë që vizioni i shteti të realizohet me buzëqeshjet e fëmijëve.
Ndërsa, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia u shpreh se kjo është një ditë e rëndësishme për shëndetin e fëmijëve tanë, duke njoftuar se spitali që po përurohet është më moderni në rajon në vlerë prej 22 milionë euro.
“Është një kontribut i madh dhe do të jetë një simbol i miqësisë mes dy vendeve tona. Është kontribut i disa gjeneratave i pajisur me pajisje moderne për diagonstikë e trajtim të fëmijëve.
“Ky spital do të ketë ndikim për ngritjen e cilësisë së shërbimeve për fëmijët”.
Vitia, ka bërë thirrje për vaksinim të fëmijëve mbi 12 vjeç si dhe për nënat shtatzëna./InLajmi/