Tragjedia në Tetovë që nga fillimi është shoqëruar nga mungesa e transparencës nga ana e autoriteteve dhe po vazhdon në të njëjtë mënyrë. Që nga nata e tragjedisë kryeministri Zoran Zaev fshihet nga llogaridhënia dhe transparenca para gazetarëve dhe opinionit. Tek sot ai vendosi të “ flasë” vetëm përmes një komunikate lidhur me dorëheqjet e deponuara nga zinxhiri i udhëheqjes së sistemit shëndetësorë në vend. Edhe në këtë komunikatë Zaev, thotë se nuk do të marrë një vendim pa dalë rezultatet nga hetimi. Megjithatë në komunikatë Zaev nuk flet për përgjegjësinë morale, por vetëm për atë penale.
“Vlerësimi dhe vendimi im lidhur me dorëheqjet e paraqitura do të bazohet ekskluzivisht në faktet që marr nga hetimi, pra ekskluzivisht sipas në bazë të arsyeve të vërtetuara si shkaktarë të zjarrit. Unë pres që kjo të ndodhë së shpejti në periudhën e ardhshme, për të cilën edhe një herë apeloj tek të gjitha institucionet për një hetim të shpejtë dhe të plotë. Ekziston dhe do të ketë përgjegjësi, e përcaktuar qartë në bazë të fakteve të pakundërshtueshme kriminalistike, dhe jo në bazë të llogaritjeve politike. Unë njoftoj se gjatë javës së ardhshme, në momentin e parë pasi hetimi i ekspertëve do të tregojë përparim të ri më serioz, unë do të shpalos pikëpamjet e Qeverisë bazuar në faktet e hetimit, në një konferencë për shtyp ku do t’u përgjigjem të gjitha pyetjeve nga mediat,” thuhet në letrën e Zaevit.
Për përgjegjësinë penale dhe morale foli mbrëmë në emisionin 360 grade, presidenti Stevo Pendarovski. Sipas tij hetimet do të tregojnë se a ka pasur defekt teknik dhe a ekziston dikush mbi të cilin rëndon një faj i tillë.
“Unë flas se derisa nuk përfundon hetimi nuk mund ta dimë kush është fajtor, ose nëse dikush është fajtor, a mund të jetë defekt teknik dhe a ekziston njeri që mund ta mbajë atë faj. Prandaj duhet ti lëmë organet hetuese, sepse disa organe hetuese janë përfshirë dhe janë nën udhëheqjen e prokurorisë publike. Por për përgjegjësinë tjetër atë subjektive, morale, ajo është kategori që njeriu prej anash nuk mund t’ia sugjeroj askujt. Atë e ke në vetvete, ke një prag pas të cilin thotë: Unë pas kësaj nuk mund të jem udhëheqës, drejtor, ministër, president. Këtë nuk mund t’ia sugjerosh dikujt, kjo është ndjenjë personale,” deklaroi Stevo Pendarovski- president i Maqedonisë së Veriut, përcjell AlsatM.
Letra e kryeministrit Zaev vjen 3 ditë pas tragjedisë në Tetovë ku humbën jetën 14 persona. Që atë natë kryeministri Zaev dhe ministra të kabinetit të tij qëndruan në Tetovë për orë të tëra duke shmangur transparencën dhe duke thënë se do të ketë informata së shpejti. Por deklaratat e autoriteteve erdhën diku 15 orë pas ngjarjes, ndërsa dorëheqjet erdhën rreth 48 orë pas tragjedisë. Drejtuesit që ofruan dorëheqje një ditë më parë kishin thënë se tani nuk është koha për dorëheqje.