Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi është shprehur se deklaratat e tij rreth marrëveshjes për hapjen e arkivave të UÇK-së janë shtrembëruar.
Ai në një qëndrim të gjatë në profilin e tij në Facebook ka thënë se të gjitha dokumentet rreth Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i përkasin Arkivit Shtetëror të Kosovës.
“Ato kane qenë dhe vazhdojë të jenë të hapura, janë shfrytëzuar dhe shfrytëzohen si nga vendorët ashtu edhe mekanizmat ndërkombëtarë, përfshi këtu gjykatat vendore e ndërkombëtare por edhe UNMIK apo EULEX. Janë pjesë e rëndësishme e dokumentarëve dhe librave të prodhuara gjeri më tani. Në këto arkiva nuk ka asgjë të fshehtë apo të klasifikuar, njësoj siç nuk ka asnjë arsye për të fshehur”.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë ushtri mbrojtëse dhe jo agresore dhe askush nuk e ka kontestuar apo konteston pastërtinë e luftës së saj. Andaj është më se e logjikshme që edhe udhëheqës si z. Lajcak kanë mundur dhe vazhdojnë të kenë mundësi për qasje të plotë në këtë segment të arkivës shtetërore të Kosovës”, është shprehur Bislimi.
“Në këtë kontekst, e vetmja palë që përfiton nga dakordimi i arritur në Bruksel (në rast se respektohet nga Serbia dhe për këtë mund të diskutojmë gjithsesi), është pala kosovare, e cila fiton mundësinë për të konsultuar dokumente të vlefshme mbi vendndodhjen e trupave të personave të zhdukur me forcë dhe ende të pagjetur. Përfundimit të ankthit të familjeve të këtyre personave do të duhej t’i gëzohemi të gjithë, e jo të tmerrohemi nga suksesi eventual i ekipit tonë të dialogut”, përcjell Klan Kosova.
Ai ka thënë se ata që kanë dalë me sulme ndaj deklaratave të tij me argumentimin se dakordimi për hapjen e arkivave e ndryshon narrativën e “fajtorëve” për personat e zhdukur kanë rënë në atë kurth me qëndrimet e tyre të deritanishme.