Në Tetovë, një familje e tërë ka humbur betejën me koronavirusin. Babai, nëna dhe e bija e tyre 36-vjecare, para disa javëve, kanë ndërruar jetë si pasojë e komplikimeve nga COVID-19. Ata nuk kanë qenë për t`u kontrolluar në covid-qendrën e Tetovës dhe kanë ndërruar jetë në shtëpi. Sipas mjekëve, faktori gjenetik dhe sëmundjet kronike janë shkaktarët e rasteve të vdekjeve nëpër familje.
Edhe pse raportohet për një rënie të lehtë të hospitalizimeve, në Spitalin Klinik në Tetovë thonë se shqetësuese paraqitet gjendja klinike e të shtruarve në spital.
Në Tetovë për shkak të interesimit në rritje për imunizim, në shërbim janë vënë edhe pika të reja vaksinimi. Njëra prej tyre punon deri në mesnatë, me qëllim që t`u dalë në ndihmë qytetarëve që dëshirojnë të marrin doza të vaksinë, shkruan KlanMacedonia.
Aktualisht në Tetovë shënohen mbi 2.000 raste aktive me COVID-19, kurse autoritetet e vendit, për shkak të situatës së përkeqësuar, kanë vendosur që mësimi me prezencë fizike të nis vetëm për shkollat fillore. Shkollat e mesme 2 javë do të zhvillojnë mësim online.