Kryetari i degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku, ka njoftuar vdekjen e gazetarit Kajtaz Gecaj, përcjell InLajmi.
Gazetari Kajtaz Gecaj, ka qenë fillimisht mësues e pastaj ka punuar për gazetën “Zëri”, për të vazhduar më pas më hapjen e një portali lokal.
Lushtaku përmes një postimi në Facebook, është shprehur se ka ndërruar jetë një nga gazetarët më profesionistë dhe nga gjenerata më e vjetër e gazetarëve të Skenderajt.
Ai ka ngushëlluar familjen, shoqërinë dhe të gjithë dashamirët e Kajtazit.
Njoftimi i plotë i tij:
Mëngjesi i sotëm solli lajmin për vdekjen e gazetarit të njohur nga Skenderaj, Kajtaz Gecaj. Kajtazi është pa dilemë prej gazetarëve më profesionistë nga gjenerata më e vjetër e gazetarëve të Drenicës.
Karrierën e kishte filluar në të 70-tat si mësues në Qirez, për të vazhduar pastaj si gazetar në të përditshmen “Zëri”, e së fundi duke hapur një portal lokal. Duke e njohur personalisht, ai ishte profesionist i madh me një memorie të jashtëzakonshme. Urtësia e tij reflektonte në shkrimet me përmbajtje të thellë e argumentuese.
Ngushëllimet më të thella familjes, shoqërisë, dashamirëve e audiencës së Kajtazit.
Pushoftë në paqe! SL/InLajmi/




















