Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj e ka quajtur ministrin Murati “hajn i vogël” i Kurtit.
I pyetur në lidhje me akuzën për keqpërdorime në shpronësime gjatë qeverisjes së tij, të cilat i ka bërë ministri Murati, Haradinaj tha se ky rast është dashur që njëherë të dërgohet në prokurori.
Sipas Haradinajt, Murati ka marrë si detyrë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti për të zhvendosur vëmendjen që ishte në menaxhimin e pandemisë, diku tjetër.
“Ajo që shoh unë të ky ministri i Financave, që jo pa arsye e kanë pru këtu, se ky është targambledhës i Kurtit, ky është një hajn i vogël i Kurtit, siç e ka pas Durmishin, si Liburnin në drejtori të Urbanizimit në Prishtinë. Këtij iu ka dhanë detyra me zhvendos vëmendjen, kur janë 36 të vdekur, me zhvendos vëmendjen te një proces që nuk ka ndodh pagesa, për me tregu që është një hajn i vogël, u dasht me qu njëherë në prokurori, pastaj me dal në konferencë. Por ky me detyrë prej shefit të vet e ka bo njëherë konferencën për shtyp. Por, kjo nuk ua mbulon dështimet e tij”, tha Haradinaj në Debat Plus të RTV Dukagjinit.
Tutje, Haradinaj shtoi se, “kjo Qeveri është kundër investimeve kapitale”.
I pyetur nëse janë keqpërdorur 12 milionë euro ashtu siç tha ministri i Financave, Hekuran Murati, Haradinaj tha se ai nuk e di këtë.