Me kërkesën e opozitës për një “front të përbashkët” për luftimin e pandemisë po pajtohen edhe analistët politik.
Njohësi i zhvillimeve politike, Arton Demhasaj ka thënë për Gazeta Blic se një kërkesë e tillë nga opozita në një situatë e tillë është legjitime dhe se deputetet duhet të tregojnë shembull duke u kthyer aty ku edhe takon.
Ai pati rezerva për pushimin e Kuvendit ndërmjet 2 sesioneve, duke e etiketuar si të tepërt.
“Së pari mendoj që është pak e tepërt që pushimi për deputetë të jetë kaq i gjatë, derisa e dijmë se të njëjtët nuk janë shumë të angazhuar. Në anën tjetër, kur kemi një situatë të tillë, pandemike, kur i mbyllim kufijtë, normalisht që edhe deputetët, madje të parët të kthehen dhe të tregojnë shembull.
Unë mendoj se kërkesa është legjitime. Deputetët me të vërtetë duhet të kthehen, qoftë në komisionin e zyrës parlamentare, kuptohet në mënyrë që ta përballojmë sa më lehtë fluksin e të infektuarve që janë momentalisht”, tha Demhasaj.
Liderët opozitar janë shprehur të gatshëm ta ndihmojnë Qeverinë në luftimin e Covid-19.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi përmes një letre dërguar Kurtit ka kërkuar bashkëpunim mes partisë në pushtet e atyre në opozitë për ta përballuar sa më lehtë pandeminë, respektivisht për të përmirësuar situatën aktuale.
Megjithatë, sot, ministri i shëndetësisë, në një konferencë për media thumboi PDK-në, duke thënë se bashkëpunim është edhe kur nuk dezinformoni për afatin e vaksinave, duket aluduar në një deklaratë të mëparshme të Bekim Haxhiut, i cili kishte thënë se prurja e tyre ishte anti-ligjore.