Të shpëtohet ish-stafi lokal, por të tjerët mundësisht të qëndrojnë jashtë BE-së, kjo është receta që ministrat e brendshëm të BE-së po sajojnë për afganët
Se sa shtetas afganë duhet të nxjerrë BE-ja nga Afganistani, dhe se sa duan të largohen nga vendi i tyre, këtë as ministrat e brendshëm të Bashkimit Evropian nuk e dinë. Vetëm Gjermania përllogarit deri në 40.000 vetë, ish-bashkëpunëtorë lokalë me familje, si edhe aktivistë të shoqërisë civile, të cilët kanë si destinacion Gjermaninë. Këtë e bëri të ditur të martën kancelarja gjermane, Angela Merkel, në Berlin, para një bisede me homologun e saj, austriak, Sebastian Kurz. Pjesa dërrmuese e tyre është ende në Afganistan, ku talibanët tani kanë marrë pushtetin.
Ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer, premtoi se do të përpiqet të nxjerrë sa më shumë ish-bashkëpunëtorë të Gjermanisë dhe familjarë të tyre nga Afganistani. Sipas tij, ata nuk do të kenë nevojë të kalojnë procedurën e azilit, por do të pajisen me leje qëndrimi. E njëjta procedurë do të vlejë edhe për aktivistët për të drejtat e grave, gazetarët dhe gjyqtarët.
Kurse sa u përket refugjatëve që nuk janë drejtpërdrejt pjesë e stafit lokal, Bashkimi Evropian ndoshta do të jetë më pak bujar. BE-ja nuk dëshiron të premtojë ende se sa afganë, që kanë nevojë për mbrojtje, mund të sillen në mënyrë të rregullt në Evropë, direkt nga kampet e refugjatëve në Pakistan ose Iran, nëpërmjet një programi të quajtur “Shpërngulje”, shkruan DW.
“Është ende herët për ta thënë këtë”, tha Komisionerja e BE -së, Ylva Johannson, e cila është përgjegjëse për migracionin. Johannson tha se do të organizojë së shpejti një forum migracioni, së bashku me SHBA, Kanadanë, Britaninë e Madhe dhe vende të tjera, ku do të diskutohen ofertat konkrete.