Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka reaguar ndaj situtatës me koronavirus në Kosovë, ku brenda 24 orëve kanë humbur jetën 36 persona, përcjell InLajmi.
Pas kësaj Osmani ka shkruar se sot institucionet e vendit mblidhen në Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të diskutuar rreth kësaj ngjarje dhe për masat e nevojshme.
Tutje Osmani ka shkruar se kjo situatë dramatike dëshmon edhe njëherë nevojën për vaksinim të të gjithë qytetarëve.
Postimi i plotë i saj:
Ditë e rëndë sot për vendin tonë me 36 humbje jetësh të qytetarëve tanë. Ngushëllime të gjithë atyre që humbën më të dashurit nga kjo pandemi e tmerrshme, e cila po vazhdon të shkaktojë dhimbje e trishtim në Kosovë dhe gjithandej globit. Institucionet e Kosovës sot mblidhen në Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të diskutuar masat e nevojshme.
Situata e sotme dramatike dëshmon edhe njëherë domosdoshmërinë e vaksinimit të të gjithë qytetarëve me të drejtë vaksinimi, por edhe bartjen e maskave për të parandaluar zingjirin e infektimeve. Kjo është mbrojtja e vetme dhe më e mirë. Ta bëjmë për veten tonë, për më të dashurit tanë, për familjet tona, për shtetin tonë! /InLajmi/