Ndonëse është rritur interesimi i qytetarëve për t’u vaksinuar kundër COVID-19, shumë prej tyre nuk po kanë mundësi të marrin vaksinën, kjo për shkak që nuk po arrijnë të gjejnë terminë të lira për t’u vaksinuar. Përkundër thirrjeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar të Shëndetit Publik për vaksinim, shumë qytetarëve nuk po ju mundësohet një gjë e tillë me kohë.
Përkundër interesimit, shumë qytetarë po e kanë të vështirë që të lënë termine për t’u vaksinuar.
Në kohën kur po rritet numri i viktimave nga COVID-19, e po ashtu edhe ai i rasteve të reja të infektuara me këtë virus, shumë qytetarë po e kanë të pamundur për t’u vaksinuar.
Kjo pasi ata nuk po gjejnë termine të lira në platformën e-Kosova.
Për më shumë se një javë shumë qytetarë është dashur të presin derisa të gjejnë terminë të lira për t’u vaksinuar.
E një situatë e tillë tashmë po na përcjell që një kohë.
Përkundër që varianti Delta i COVID-19 po përhapet me shpejtësi në vend, e po ua rëndon gjendjen shëndetësore personave të pavaksinuar, këta të fundit nuk po gjejnë ndonjë zgjidhje që të vaksinohen sa më parë.
Ndërsa, përkundër interesimit të madh për t’u vaksinuar, qendrat e vaksinimt gjatë vikendeve po vazhdojnë të vaksinojnë një numër më të vogël të qytetarëve.
Vetëm gjatë 24 orëve të fundit në vend janë administruar 11 mijë e 17 doza të vaksinave, ndonëse qendrat e vaksinimit kanë kapacitete për të administruar më shumë doza.
Nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë javë më parë për gazetën se numri i dozave ditore të vaksinave që po administrohen nuk është i vogël, dhe se pothuajse Kosova ka numrin më të madh të dozave për kokë banori në rajon që administrohen brenda një dite, shkruan Gazeta Express.
Ndërsa, nga Asociacioni i Komunave të Kosovës kanë kërkuar që të hapen edhe qendra tjera të vaksinimit e që vaksinimi të bëhet edhe gjatë vikendeve.