Japonia pezulloi përdorimin e rreth 1.63 milion dozave të vaksinës Moderna të enjten pasi u gjet ndotje në doza të papërdorura, duke ngritur shqetësim për mungesën e furnizimit ndërsa vendi përpiqet të përshpejtojë vaksinimet në një rritje të koronavirusit, transmeton InLajmi.
Ministria e Shëndetësisë tha se kontaminimi u raportua nga vende të shumta vaksinimi. Disa doza të tilla janë dhënë megjithatë, deri tani nuk është raportuar për asnjë efekt negativ shëndetësor.
Takeda Pharmaceutical Co, një prodhues japonez i ilaçeve përgjegjës për shitjen dhe shpërndarjen e vaksinës në Japoni, tha se vendosi të pezullojë përdorimin e dozave të prodhuara në të njëjtën linjë prodhimi si një masë paraprake sigurie.
Kompania i kërkoi Modernës të kryente një hetim urgjent dhe u tha institucioneve mjekësore dhe organizatorëve që të ndalonin përdorimin e vaksinës së prodhuar në Spanjë.
Ministria e Shëndetësisë dhe Takeda nuk dhanë detaje mbi llojin e kontaminimit ose nëse dozat në fjalë mund të jenë shpërndarë jashtë Japonisë, shkruan AP.
Problemi i vaksinës Moderna erdhi pikërisht ndërsa Japonia lufton me infeksionet në rritje, me raste të reja të përditshme që godasinnë shumë pjesë të vendit dhe duke tendosur rëndë sistemin e kujdesit shëndetësor./InLajmi/