Admir Salihu, është caktuar avokat i Dardan Krivaqës, të dyshuarit kryesor për vrasjen e M.O, në Ferizaj.Në një bisedë për Gazeta Blic, Salihu thotë se caktimi i tij për të mbrojtur në gjykatë Krivaqën, nuk është bërë nga familja, por nga shteti.Nuk dëshiroi të flas gjatë për rastin e klientit të tij, për shkak që sipas tij, ende nuk ka marrë leje nga Dardan Krivaqa, për të dalur dhe mbrojtur publikisht.
Avokati Salihu thotë se i dyshuari, Dardan Krivaqa, ka vendosur të mbrohet në heshtje për krimin që dyshohet se e ka bërë.Madje, thekson se as ai vetë nuk ka folur ende me klientin e tij.
“Mua me ka caktuar gjykata të jem avokat në këtë lëndë. E kuptoj opinionin publik. E kuptoj edhe ndjeshmërinë e situatës. Por, tani për tani nuk mund të flas gjatë për këtë temë. Nuk kam marrë ende miratimin e klientit (Dardan Krivaqa v.j.), për të folur. As me të për besë nuk kam folur ende për këtë ngjarje. Ai ka vendosur të mbrohet në heshtje. Po presim ecurinë tutje të procesit gjyqësor”, i ka thënë avokati Salihu – Gazetës Blic.
I pyetur për gjendjen shëndetësore të Dardan Krivaqës, avokati i tij thotë se ai është mirë. Tregon çka ndodhi sot në ndërprerjen e seancës gjyqësore.“Është ankuar se ka probleme mjekësore. Pas disa minutash ka ardhur ambulanca. Ekipet mjekësore kanë konstatuar se gjendja e tij nuk është e keqe, sa për të mos mundur të qëndrojë në seancë. është kthyer pastaj në seancë dhe kemi vazhduar”, shtoi Salihu.Në fund, avokati thotë se janë duke i pritur të gjitha konstatimet e organeve kompetente për të dhënë të gjitha detajet që dërguan në këtë ngjarje. Thotë se pa i parë të gjitha provat as ai vetë nuk e di si ka ndodhur krimi.