Kryeministri Albin Kurti, ka qenë pjesëmarrës në varrimin e vajzës 18-vjeçare të vrarë ne Ferizaj, raporton InLajmi.
Ai është shprehur se jeta e një vajze të re është këputur nga një vrasje mizore, duke thënë se pas arrestimit të të dyshuarit duhet të ketë gjykim të drejtë e të merituar për të.
“Jeta e një vajze të re 18 vjeçare është këputur nga një vrasje mizore. Para një orë e gjysmë, i dyshuari për vrasjen që e tronditi mbarë Kosovën është arrestuar dhe tash duhet të ketë gjykim të drejtë dhe dënim të merituar”.
Kurti për të dyshuarin Krivaqa ka thënë se ai edhe më parë ka pas precedent penal e vepra të shumta që ka shkelë ligjin, duke e cilësuar këtë gjë si tregues që duhet ende punë në përmirësimin e sistemit të Drejtësisë.
“Qeveria jonë prej fillimit ka ndërmarrë iniciativën për infrastrukturë ligjore që të mos na përsëritën kurrë këto raste”.
“E di që mërzinë, dhimbjen dhe pikëllimin e keni të pashmangshëm, por duke u pikëlluar nuk do të mundim asnjë prej nesh që ta ngjallim Marigonën. T’i mbani kujtimet më të mirë, që me siguri i keni të panumërta, që të angazhohemi bashkë që raste të tilla të mos e godasin kurrë më popullin tonë dhe familje tonë. Për t’u pre e qetë Marigona duhet të sjellim drejtësi për të dhe për të gjithë viktimat tjera”./InLajmi/

















