Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka drejtuar kritika ndaj Qeverisë Kurti për qasjen ndaj ekonomisë në kohën e pandemisë, raporton InLajmi.
Haradinaj në një konferencë për media, ka thënë se janë të shqetësuar që ekonomia e Kosovës po goditet rëndë duke shkuar në drejtim negativ.
Ai ka përmendur edhe pikën e gazsjellësit në Marrëveshjen e Washingtonit, duke thënë se Kryeministri Kurti po e vonon këtë gjë me qëllim.
“Kur kam qenë kryetar qeverie, Vetëvendosje dhe Haki Abazi atëherë kanë qenë mjaft të zëshëm për energjinë me qymyr në emër të mbrojtjes së ambientit. Amerika i ofron Kosovës diversitet energjetik, pra na bie gazin amerikan prej Greqisë dhe na ofron 200 milionë pare dhe Kosova po e dështon këtë projekt me vonesa. Tani ua bëj pyetjen atyre që ishin kundër qymyrit. Pse janë kundër gazit amerikan, a po e presin gazin rus, sikurse një pjesë e Europës? Pra, pyetja për Albinin dhe për tjerët a po e pritni gazin rus dhe për këtë po i dështoni 200 milionët e MCC dhe s’po e lejoni ardhjen e gazit amerikan?”.
Haradinaj është shprehur se kanë bërë edhe disa propozime, për shfrytëzimin e parave për Rimëkëmbjen e Ekonomisë.
“Jemi të shqetësuar për ekonominë dhe sektorin privat që s’është trajtuar nga Qeveria. Pakoja është komplet mashtrim. Kjo pako përmban masa dhe instrumente sociale ose pare që qeveria i ka kode buxhetore dhe obligim operacional që 20 vjet, pra s’është masë e re, por buxheti ekzistues i paraparë për ato qëllime”./InLajmi/




















