Kandidatja për kryetare të Ferizajt, njeherësh zëdhënëse e LDK-së, ka reaguar për rastin e vrasjes të 18-vjeçares në këtë komunë, përcjell InLajmi.
Përmes një postimi në Facebook, Halimi ka thënë se rasti i vrasjes së vajzës na e ka përplasur në fytyrë realitetin e hidhur në të cilin gjenden vajzat në vendin tonë.
Ajo ka shkruar se dhuna ndaj femrave në këtë vend është shndërruar në “normalitet”, duke shtuar se nuk mjafton të tronditemi vetëm nga vrasjet fizike po duhet të tronditemi çdo ditë për gjuhën e vrasjes që përdoret ndaj femrave.
Ajo ka shtuar se çështja e dhunës ndaj femrave, duhet të jetë prioritet i secilit prej nesh.
Postimi i plotë i saj:
Rasti i vrasjes së vajzës 18 vjeçare, edhe njëherë na përplasi fytyrës realitetin e hidhur në të cilën gjenden vajzat tona.
Gjuha mizogjeniste, dhuna ndaj grave dhe vajzave janë shndërruar në “normalitet” në shoqërinë tonë. Mjafton të analizohen rrjetet sociale, ku aq lehtësisht, fyerja deri në eliminim është bërë përditshmëri.
Nuk mjafton të tronditemi vetëm nga vrasjet fizike, ne duhet të tronditemi çdo ditë për gjuhën e vrasjes drejtuar vajzave dhe grave e që vrasja fizike, vjen si pasojë e mos ndëshkimit të këtij mentaliteti.
Ngacmimet seksuale, dhunimet, shantazhi e dhuna ndaj grave janë çështje të cilat duhet të jenë prioritet i secilit prej nesh pa përjashtim./InLajmi/