Presidenti amerikan, Joe Biden, e ka pranuar se evakuimi masiv nga Afganistani “nuk është proces pa rrezik të humbjes së jetëve”.
Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, Biden ka thënë se Shtetet e Bashkuara kanë shpëtuar 13.000 persona, “në disa prej ngritjeve ajrore më të vështira në histori”.
Mirëpo sugjerimi i presidentit, se evakuuesit amerikanë nuk janë duke u penguar nga talibanët, ka qenë në kundërshtim me deklaratat e zyrtarëve amerikanë për mbrojtje.
“Secili amerikan që dëshiron të kthehet në shtëpi, do ta kthejmë në shtëpi”, ka thënë Biden, i cili ka ndërprerë pushimin e tij për t’u deklaruar rreth krizës.
Teksa ka marrë pyetje nga gazetarët, presidenti Biden ka thënë se ushtria amerikane do të bërë “zotimin e njëjtë”, për 50-65.000 afganët që duan të largohen nga shteti, para se të shtonte që evakuimi i shtetasve amerikanë është “prioritet”.
“Mos u gaboni, misioni i evakuimit është i rrezikshëm. Përfshin rreziqe për forcat tona të armatosura, dhe është duke u kryer në situatë të rrezikshme”, ka thënë Biden.
“Nuk mund të premtoj se çfarë do të jetë rezultati final, apo nëse do të jetë pa rrezik të humbjes së jetëve. Mirëpo si kryekomandant, mund të ju siguroj se do të mobilizoj secilin burim të nevojshëm”, ka shtuar ai.
Ai ka thënë po ashtu se mund të jetë e domosdoshme që të dërgohen trupa amerikane në Kabul për të nxjerrë amerikanët e bllokuar, duke pretenduar se talibanët janë duke mundësuar hyrjen në aeroport për secilin person me pasaportë amerikane.
Megjithatë, disa raportime nga Kabuli kanë sugjeruar se shtetasit amerikanë janë duke pasur vështirësi që të arrijnë në aeroport.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, u ka thënë ligjvënësve të premten se amerikanet që janë duke tentuar të largohen nga Afganistani, janë rrahur nga luftëtarët talibanë, raporton e përditshmja amerikane, Politico.
Talibanët kanë pretenduar fitore më 15 gusht, pasi kanë marrë kontrollin e kryeqytetit, Kabulit, pas gati 20 vjetëve të dhënies fund të prezencës ushtarake të forcave të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, shkruan REL.
Qeveria ka rënë dhe presidenti Ashraf Ghani ka ikur nga shteti.