Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka paralajmëruar sjelljen e automjeteve të blinduara në kapacitetet ushtarake të vendit, përcjell InLajmi.
Mehaj përmes një postimi në Facebook, ka shpërndarë disa fotografi të automjeteve ushtarake, duke u shprehur se ato do të jenë një sistem shumë i rëndësishëm i kapaciteteve ushtarake.
Mehaj ka shkruar për karakteristikat e tyre, duke siguruar se këto automjete ofrojnë një performancë të jashtëzakonshme në terrene sfiduese.
Postimi i tij i plotë:
Së shpejti këto automjete të blinduara taktike, të kompletuara me platformën e integruar të armatimit dhe pajisjet e nevojshme për përmbushjen e misionit, do të jenë sistem shumë i rëndësishëm i kapaciteteve tona ushtarake.
Një ndër objektivat e mi operacional afatshkurtër është forcimi i kapaciteteve ushtarake për realizimin e operacioneve mbrojtëse dhe operacioneve ndërkombëtare paqeruajtëse dhe stabilitetit.
Karakteristikat e larta teknike dhe taktike dhe lëvizshmëria e jashtëzakonshme e tyre, siguron mbrojtje shumë të lartë balistike, ndaj minave si dhe rritje të kapacitetit të ngarkesës dhe vëllim të brendshëm.
Bazuar në doktrinën tonë të operacioneve këto automjete sigurojnë performancë të jashtëzakonshme në gamë të gjerë të terreneve sfiduese dhe kushteve klimatike./InLajmi/